Edicioni i dhjetë i festivalit “Mirëdita, dobar dan!” u hap me një minutë heshtje

Edicioni i dhjetë i festivalit “Mirëdita, dobar dan!” u hap me një minutë heshtje

Hapja e edicionit të dhjetë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!” filloi me një minutë heshtje, në shenjë solidariteti me viktimat dhe familjet e tyre pas tragjedisë që ndodhi të mërkurën në Beograd. Në sallën e mbushur plot në Kino ABC kishte vizitorë të shumtë, por edhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare.

“Qëllimi ynë ka qenë gjithmonë që t’i bashkojmë njerëzit në kohë të vështira dhe të krijojmë hapësirë për solidaritet. Nuk ka familje në këtë rajon që nuk ka përjetuar humbje të rëndë e të pakapërcyeshme”, tha Sofija Todoroviq, Drejtoreshë e Programit nga  Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi), në hapjen e festivalit. Ajo kujtoi gjithashtu se ky rajon është i lidhur në mënyrë të pathyeshme dhe për këtë arsye sot, më shumë se kurrë, është e rëndësishme të qëndrojmë krah për krah.

“Ky festival nisi si hapësirë për bashkëpunim dhe diskutim mes dy shoqërive me të kaluar të vështirë, në një moment politik aspak pozitiv. Ju jemi shumë mirënjohës që jeni sot me ne, falënderojmë edhe donatorët që bënë organizimin e këtij festivali të mundur”, tha Kushtrim Koliqi, drejtor i Organizatës Integra, e cila është nikoqire e festivalit në Prishtinë.

Festivali u hap me shfaqjen e filmit “Si mësova të fluturojë” nga Radivoje Andrić, një film për Sofijën 12-vjeçare e cila i kalon pushimet verore në Hvar, ku pavarësisht dëshirës së saj për t’i kaluar në kamping, ajo prapë arrin të përjetojë verën e ëndrrave të saj, të mbushur plot me miq të rinj, aventura, romancë dhe shumë më tepër nga sa kishte imagjinuar.

Pas përfundimit të filmit, me iniciativë të qytetarëve të Prishtinës, vizitorët e festivalit u ftuan t’i bashkohen aksionit para Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku ndezën qirinj në shenjë solidariteti dhe në kujtim të viktimave të krimit që ndodhi në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd.

No Comments

Post A Comment