20 Pri Debati “Liria e lëvizjes në rajon: tani është koha”
6 maj, 13:30, Barabar Centre, Hotel Grand, Kati 4
Pavarësisht progresit të bërë në vitet e fundit dhe nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet liderëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në nëntor të vitit 2022, liria e lëvizjes mbetet një çështje e rëndësishme për t’u diskutuar. Shumë njerëz, veçanërisht të rinjtë, përballen me sfida dhe pengesa në udhëtimet ndërmjet vendeve, për shkak të barrierave të ndryshme burokratike dhe politike. Një nga çështjet më urgjente në këtë drejtim është mungesa e lirisë së lëvizjes ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, e cila vazhdon të mbetet problem për të dyja vendet, për shkak të mungesës së vullnetit politik. Ndonëse, BE-ja ka njoftuar se nga 1 janari i vitit të ardhshëm, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza brenda shteteve anëtare, kjo nuk e ndryshon faktin se në nivelin rajonal situata mbetet e pazgjidhur.
Me folës ekspertë nga Kosova, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, ne do të përpiqemi të trajtojmë disa çështje kyçe që lidhen me lirinë e lëvizjes, duke përfshirë ndikimin e liberalizimit të vizave dhe Procesin e Berlinit në lëvizjen lirë të rajonit. Në këtë diskutim, gjithashtu do të shqyrtojmë mënyrat për të kapërcyer pengesat dhe për të promovuar liri më të madhe të lëvizjes në Ballkanin Perëndimor, duke u fokusuar në problemet me të cilat përballen Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, dhe do të diskutojmë mundësitë për të adresuar këto sfida. Ky diskutim synon të rrisë ndërgjegjësimin për nevojën për liri më të madhe të lëvizjes në rajon dhe të identifikojë hapat konkret që mund të ndërmerren për të kapërcyer pengesat aktuale.
No Comments