20 Pri Mbrëmje poetike “Stolpersteine”, Đorđe Simić dhe Mirjana Narandžić
5 maj, 19:30, Kafe-libraria Dit e Nat
Stolpersteine (në anglisht: “stumbling stones”) – Term ky i përdorur për të përshkruar pllakat prej bronzi që përkujtojnë viktimat e regjimit nazist në më shumë se 1100 lokacione në 17 vende evropiane.
Si term që trajton ballafaqimin me të kaluarën, ‘Stolpersteine’ i prezenton shkurtimisht audiencën me përmbajtjen e poezive të poetëve tanë, të cilat trajtojnë luftën, pasojat e saj, si dhe nxisin pyetje në lidhje me përkatësinë dhe identitetin individual.
Mbrëmja do të pasurohet me praninë e dy poetëve serbë, Mirjana Narandžić dhe Đorđe Simić, ndërsa moderator do të jetë Agon Rexhepi.
Mirjana Narandžić u lind në vitin 1992 në Beograd. Ajo studioi letërsinë dhe gjuhën serbe me letërsi krahasimtare në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Beogradit. Shkrimet e saj janë publikuar në antologji të ndryshme dhe portale relevante në vend dhe rajon. Në vitin 2016 ajo ishte në listën e ngushtë për konkursin “Mladi Dis”. Një vit më pas, në 2017, dorëshkrimi i saj “Nema veze” u botua nga Matica srpska si pjesë e edicionit “Libri i parë”. Në vitin 2018, Mirjana u nderua me çmimin “Spasoje Pajo Blagojević”, një çmim prestigjioz që ndahet për poetin/en e ri/e më të mirë në të gjitha rajonet e ish-republikave jugosllave. Në vitin 2019, dorëshkrimi “Da se ne javim uvek” u publikua nga Qendra për Kulturë në Pluzhinë, Mal i Zi. Ndërsa në vitin 2021, dorëshkrimi “Spoticanja” ishte publikuar në kuadër të konferencës së realizuar nga BIRN Open House.
Đorđe Simić, lindur në vitin 1989 në Valjevë, është autor i dy librave me poezi. Në vitin 2020 ai botoi librin e tij të parë, “The Tame Volcano”, nga Nova Poetika. Ky libër thellohet në kompleksitetin e marrëdhënieve, dashurisë dhe humbjes. Libri i tij i dytë, “We Were the Good Guys”, u publikua nga Prometej, në vitin 2022. Ky libër eksploron tema të tilla si identiteti seksual, familja dhe sfidat e komunitetit LGBTQ+. Poezia e tij është publikuar në revista dhe antologji të ndryshme poetike. Puna e tij është publikuar edhe në portale të ndryshme të letërsisë dhe kulturës. Për më tepër, poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë, duke përfshirë gjuhën angleze, spanjolle, holandeze dhe atë maqedone. Përveç shkrimeve të tij, Simić ka përvojë edhe në fushën e teatrit. Ai ka qenë pjesë e studios së dramës “Znakovi”, ku ka shkruar skenarë dramash që janë shpërblyer disa herë në “Festivalin e shfaqjeve teatrore për fëmijë dhe të rinj të Beogradit”. Simić është gjithashtu kryeredaktor i portalit online “bludni stih” i cili publikon çdo muaj poezi rajonale bashkëkohore në formatin e një antologjie online. Kjo platformë ofron një hapësirë për poetët e rinj që të shfaqin punën e tyre dhe të lidhen me një audiencë më të gjerë.
No Comments