Festivali “Mirëdita, dobar dan!” nderohet me Çmimin Austriak për Arritje Ndërkulturore

Festivali “Mirëdita, dobar dan!” nderohet me Çmimin Austriak për Arritje Ndërkulturore

Grupi Punues për Dialogun ndërmjet Kulturave dhe Religjioneve, pranë Ministrisë Federale të Austrisë për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare, së bashku me një juri të pavarur, i kanë ndarë festivalit “Mirëdita, dobar dan!” Çmimin për Arritje Ndërkulturore (Intercultural Achievement Award) për vitin 2026, në shenjë mirënjohjeje për angazhimin qytetar dhe përkushtimin e tij ndaj promovimit të dialogut ndërkulturor.

“Ky çmim është një inkurajim i madh për ne që të vazhdojmë, përmes kulturës dhe artit, të hapim diskutime të vështira, por të rëndësishme, për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet njerëzve që jetojnë në Kosovë dhe Serbi. Besojmë se arti dhe kultura, përmes një gjuhe tjetër, mund të trajtojnë çështje që vazhdojnë të mbeten thellësisht të dhimbshme dhe komplekse.

Ky çmim vjen në një moment veçanërisht të rëndësishëm për ne, kur kishim nevojë për inkurajim, sidomos duke pasur parasysh se edicioni i mëparshëm i festivalit në Serbi ishte ndaluar. E shohim këtë vlerësim si një shtysë shtesë për punën tonë dhe besojmë se gjithçka që ka ndodhur deri më tani dëshmon se festivalet si ‘Mirëdita, dobar dan!’, si dhe nismat e ndryshme që bashkojnë njerëzit dhe krijojnë hapësira për dialog, janë thelbësore dhe duhet të jenë gjithnjë e më të shumta.

Shpresoj që ky çmim të frymëzojë jo vetëm ne, por edhe shumë të tjerë që punojnë në drejtim të bashkëpunimit, për të intensifikuar përpjekjet e tyre, në mënyrë që në të ardhmen të kemi edhe më shumë nisma që i bashkojnë njerëzit, në vend që t’i ndajnë”, deklaroi Sofija Todorović, drejtoreshë e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, me rastin e ceremonisë së ndarjes së çmimit.

Edicioni i fundit i festivalit u mbajt në Prishtinë, ku publikut në Kosovë iu prezantua një pjesë e skenës bashkëkohore kulturore dhe artistike të Serbisë. Ndërkaq, edicioni i sivjetshëm, i cili ishte planifikuar të mbahej në Beograd, u anulua për shkak të situatës politike me rrezikshmëri të lartë dhe paqëndrueshmërisë në Serbi.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!” bashkon artistë, mbrojtës të të drejtave të njeriut, aktivistë të paqes dhe figura publike nga Serbia dhe Kosova, duke kontribuar në zhvillimin e një perspektive rajonale, nxitjen e bashkëpunimit dhe ndërtimin e paqes.

Festivali synon ta afrojë skenën kulturore të Kosovës me publikun në Serbi, si dhe t’ia prezantojë publikut në Kosovë skenën bashkëkohore kulturore dhe artistike të Serbisë. Përmes shkëmbimeve artistike, debateve dhe diskutimeve mbi çështjet aktuale shoqërore dhe politike, festivali kontribuon në përpjekjet për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Që nga viti 2014, festivali organizohet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, në bashkëpunim me organizatat partnere nga Serbia dhe Kosova.

Që nga viti 2014, Çmimi për Arritje Ndërkulturore ndahet nga Ministria Federale e Austrisë për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare për projektet e suksesshme dhe inovative të shoqërisë civile, të cilat promovojnë dialogun ndërkulturor dhe ndërfetar, sfidojnë stereotipet dhe nxisin bashkëjetesën paqësore, si në Austri, ashtu edhe në mbarë botën.

No Comments

Post A Comment