Debati: “Kosova – trashëgimia e kujtesës”

Debati: “Kosova – trashëgimia e kujtesës”

Më 23 tetor, në orën 12:00, në Qendrën për Dekontaminimin Kulturor (Rruga Birçaninova 21).

Vendet e hapësirat e kujtesës janë më shumë sesa vetëm vendndodhje gjeografike; nganjëherë ato mund të shërbejnë edhe si bazë për ndërtimin e identiteteve kolektive. Ajo që ne zgjedhim të kujtojmë, ose më saktë, të harrojmë, neglizhojmë dhe heshtim, flet shumë për të tashmen në të cilën jetojmë dhe për vizionin e së ardhmes që dëshirojmë të ndërtojmë.

 

Politikat e historisë i kanë trajtuar vendet e përkujtimit në mënyrë selektive – duke nënvizuar dhe theksuar ato që i ka konsideruar të përshtatshme për ndërtimin e një identiteti kombëtar, duke lënë pas gjithçka tjetër për t’u harruar ose etiketuar si propagandë. Duke zgjedhur vendet dhe hapësirat e përkujtimit në këtë mënyrë, krijohen versione të ndryshme të ngjarjeve historike, ato të cilat shikohen përmes një këndvështrimi të njëanshëm dhe shumë të kufizuar.

 

Çfarë ka Kosova si trashëgimi, si pikë takimi e popujve të ndryshëm dhe konflikteve të tyre, e identiteteve të ndryshme të tyre kombëtare dhe fetare? Çfarë monumentesh kemi ndërtuar dhe çfarë po zgjedhim të kujtojmë tani? Çfarë njolle ka lënë lufta në kulturën e monumenteve, cilat vende janë shembur dhe cilat janë shkatërruar nga neglizhimi? A pasqyrojnë monumentet që ne i kemi ndërtuar dhe çmojmë sot, bashkë me narrativat që i kemi konstruktuar rreth tyre, përpjekjet paqeruajtëse dhe zhvillimin e shoqërive demokratike për të cilat po përpiqemi?

 

Vazhdimi i dialogut Beograd-Prishtinë ofron hapësirë për fillimin e shumë bisedave të rëndësishme, nga çështja e personave të zhdukur te çështjet e trashëgimisë kulturore. Çfarë po diskutohet në tryezën e negociatave në Bruksel dhe çfarë duhet të diskutohet në të vërtetë? Pse anëtarësimi në UNESCO, një organizatë që kultivon promovimin kulturor dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, perceptohet si një lojë që do të rezultojë në humbje për cilëndo palë? Si mund ta pranojmë natyrën multikulturore të trashëgimisë kulturore, të marrim atë si një përparësi dhe t’i bëjmë politikat e përkujtimit dhe vendet e përkujtimit më gjithëpërfshirëse?

 

Në përpjekje për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve për audiencën e Beogradit do të jenë: Jelena Pavličič (Asistene në Fakultetin e Arteve Prishtinë – Zveçan), Korab Krasniqi (forumZFD Kosovë & Menaxher i Projektit / Publikimit të ‘Kosova – Trashëgimia e kujtesës 1.0’) dhe Durim Abdullahu (Ligjërues në Fakultetin Filozofik në Prishtinë), me moderim nga gazetarja Antonela Riha.

Regjistrimi

Të gjitha ngjarjet do të mbahen në përputhje me masat anti-epidemike për të parandaluar përhapjen e Covid-19. Për shkak të pandemisë së virusit korona, numri i vizitorëve në festival është i kufizuar. Ju lutemi të njoftoni paraprakisht pjesëmarrjen tuaj në ngjarjet e festivalit, thjesht duke u regjistruar në webfaqen tonë të internetit.