Shfaqja “Unë jam vetë grua”

Shfaqja “Unë jam vetë grua”

më 22 tetor në ora 19:00, në Qendrën për Dekontaminim Kulturor (Rruga Birçaninova 21)

Shfaqja me regji të Kushtrim Koliqit, në të cilën Adrian Morina, si aktori i vetëm në skenë luan më shumë se 30 personazhe, na sjellë një histori të një jete tejet të vështirë të një personi transgjinor gjerman – Charlotte von Mahlsdorf, e cila i ka mbijetuar regjimit Nazist dhe atij Stasi.

 

Shfaqja fituese e çmimit “Pulitzer” dhe e çmimit “Toni” është shfaqje që bazohet në bisedat dhe intervistat e Doug Wright me transgjinoren gjermane, njëherit tregtaren e antikuareve Charlotte von Mahlsdorf, si dhe në autobiografinë e Charlotte të vitit 1992, të titulluar po ashtu “Unë jam vetë grua”.  

 

Për portretizimin e plotë të Charlotte, gjatë periudhës naziste dhe regjimit komunist pasues, ndërsa jetonte haptazi si transgjinore, shfaqja kërkon që aktori i saj i vetëm të luajë rreth 30 role të ndryshme. Titulli i shfaqjes ka dalur nga një anekdotë që Charlotte e tregon: kur ajo ishte dyzet vjeç, nëna e saj duke mos pasur asnjë ide, i tha “Boll luajte dhe u pispillose. Je bërë burrë tani. Kur ke ndër mend të gjesh një grua dhe të martohesh?” të cilës pyetje Charlotte iu përgjigj: “Kurrë, mamaka. Unë jam vetë grua”.

 

Sipas Wright, në fillim Charlotte paraqitet si një heroinë e vërtetë – një e mbijetuar nga nazistët dhe komunistët në Gjermaninë Lindore; sidoqoftë, shumë shpejtë bëhet e qartë se mbijetesa e saj në atë klimë të pasigurtë kërkonte bërjen e shumë zgjedhjeve të dyshimta morale.

 

Gajtë shfaqjes, ne ndjekim Charlotte që nga fëmjëria e saj deri në moshën e rritur, duke e parë atë, të lindur si Lothar Berfelde, duke vrarë babanë e saj abuziv kur ajo është ende fëmijë. Më vonë, ajo zbulohet nga një oficer nazist, të cilin arrin ta bindë për ta ndihmuar të shmangë fatin e shumë personave të tjerë LGBT gjatë Holokaustit.

 

Shfaqja “Unë jam vetë grua” do të jepet më 22 tetor në ora 19:00, në Qendrën për Dekontaminim Kulturor (Rruga Birçaninova 21) në kuadër të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”.

Regjistrimi

Të gjitha ngjarjet do të mbahen në përputhje me masat anti-epidemike për të parandaluar përhapjen e Covid-19. Për shkak të pandemisë së virusit korona, numri i vizitorëve në festival është i kufizuar. Ju lutemi të njoftoni paraprakisht pjesëmarrjen tuaj në ngjarjet e festivalit, thjesht duke u regjistruar në webfaqen tonë të internetit.